E hëna e kësaj jave është ditë pushimi për punonjësit e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Kjo, për shkak se që nga ora 7:30 të mëngjesit, aktivistë të Lëvizjes Studentore për Barazi u mblodhën para hyrjes kryesore të ndërtesës dhe nuk lejuan fillimin e punës në këtë institucion.

Ata thonë se nuk do të largohen nga Rektorati derisa aktivistëve Durim Jashari dhe Rron Gjinovci t’u njihen të gjitha të drejtat si studentë të rregullt të Universitetit të Prishtinës.

E gjithë kjo bëhet pas një vendimi të Komisionit Qendror Zgjedhor për mos lejimin e Rron Gjinovcit dhe Durim Jasharit që të jenë pjesë e zgjedhjeve në Universitetin e Prishtinës. Rron Gjinovci tha se ai është student i rregullt i Universitetit të Prishtinës dhe vendimi për mos lejimin e tij është politik.

Dy studentët e UP-së, pjesë e Lëvizjes Studentore për Barazi, mbahen mend edhe për aksionin me ngjyrë të kuqe ndaj rektorit të Universitetit të Prishtinës. Për këtë ata, me vendim gjykate, vuajtën një dënim prej 30 ditë burgim.

Po kështu, kjo lëvizje, e cila funksionon prej dy vjetësh, pretendon se ka denoncuar shumë raste të korrupsionit në Universitetin e Prishtinës, në të cilat kryesisht akuzohen rektori Mujë Rugova, por edhe punonjës të tjerë.

Top Channel