Pentagoni: Asnjë rrjedhje për Bin Laden

28/05/2012 21:40

Regjisores dhe skenaristit të filmit mbi sulmin ku u vra Osama bin Laden nuk i është dhënë asnjë informacion “jetik” nga Departamenti i Mbrojtjes.

Deklarata në fjalë është bërë nga ministri i Mbrojtjes, Leon Panetta, pas polemikave dhe akuzave të bëra ndaj administratës së tij.

Shefi i Pentagonit është akuzuar se i ka dhënë regjisores Kathryn Bigelow dhe skenaristit të saj Mark Boal dritën jeshile për të folur me komandot e grupit që më 2 maj të 2011-ës bastisën rezidencën e sheikut të terrorit në Abotabad të Pakistanit.

Gjithashtu, Departamenti i Mbrojtjes është akuzuar se ka dhënë informacione jetike mbi blicin e komandove, me qëllim që filmi të jetë sa më i vërtetë dhe që t’i shërbejë figurës së presidentit Obama në prag të zgjedhjeve të tetorit.

Akuzat në fjalë janë hedhur poshtë nga administrata e shefit të Shtëpisë së Bardhë, që i ka cilësuar si të pavërteta dhe si të motivuara politikisht nga rivalët.

Aktualisht filmi i planifikuar për vrasjen e arkitektit të sulmeve të 11 shtatorit 2001 po xhirohet në një lokalitet të Indisë dhe pritet të dalë në ekranin e madh nga fundi i vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA