Pas më shumë se tre muajsh emocionesh, aventurash dhe spektakli të drejtpërdrejtë 24 orë në 24, edicioni i pestë i “Big Brother” kurorëzoi fituesit e tij.
Arbëri ishte shqiptari i pare nga Kosova, që arriti te marre çmimin e madh prej 85 milionësh (do të ishte 100 nëse do të ishte futur që në fillim në shtëpi), por të pestë finalistët u bënë ikona për pjesë të ndryshme të ndryshme të publikut.
Për këtë arsye, Arbëri, Liami, Genta, Françeska dhe Ermali ishin të ftuarit e “Pasdite” në “Top-Channel”, ku pas intervistave në studion e “Big”-ut dhe në “Fan Club”, zbuluan detaje të tjera rreth rrugës së tyre brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri dhe pritjen jashtë, ndërsa u përballën edhe me opionionin e Flavio Qarrit, gazetarit të “Pasdites” të vendosur në rolin e analistit të konkurrentëve të “Big Brother”.
Arbëri: Luajta që në ditën e parë për fitore
Fitues në këtë edicion, Arbëri ishte ai që bëri për vete çmimin e madh prej 85 milionësh, në të njëjtën kohë që fitoi famë dhe hyri në “librin e artë” të “Big Brother Albania” si shqiptari i parë nga Kosova që arrin të triumfojë.
Megjithatë, në studion e “Pasdites”, Arbëri u shfaq si një përzjerje modestie dhe vetësigurie, ndërsa shfaqi vlerësimet më të larta për nënkampionin Liam e në të njëjtën kohë që pranoi se ndihej i sigurt për fitoren e tij.
“E dija që Liami ishte një lojtar i fortë, me besim në vete dhe të njëjtën gjë kisha edhe unë vetja. Megjithatë, ajo që më bën përshtypje është fakti se përse më pyesin gjithandej për deklaratat e mia kur shprehja sigurinë që do të fitoja. Ndryshe, përse do të merrja pjesë, por të mos kisha siguri në vete. Unë prandaj u futa. Nuk jam as i bukur, prandaj normal që kur futem në një lojë dua të fitoj. Nuk jam një nga tipat që marr pjesë po fitova fitova dhe po humba humba. Gjithsesi, e falenderoj me zemër publikun, sepse në fund është merita e tyre për fitoren”.
Kosovari zbuloi edhe historinë e “flirtit” të tij me Gertën dhe historinë midis tyre. “Unë nuk kam një të dashur jashtë shtëpisë. U përqendrova në lojë. Me Gertën tentova fatin dhe dështova. E kam takuar jashtë, kemi pirë kafe dhe e kam mike të mirë, por asgjë më shumë, të paktën për momentin”.
Duke u ndalur tek Liami, rivali i tij më i fortë në shtëpi, Arbëri komentoi se: “Liam është një djalë i shkëlqyer dhe ambicioz. i uroj shumë fat në të ardhmen dhe nëse do të arrijë të regjistrohet në “Big Brother Deutschland”, do t’i bëj thirrje të gjithëve personalisht që ta votojnë”.
Përsa i përket vlerësimit të Flavios, “fituesi nuk gjykohet. Edhe nëse ka bërë pisllëqe, i lumtë sepse i shërbeu për qëllim final. Arbëri ishte i vetmi midis 27 pjesëmarrësve që i kishte bërë detyrat e shtëpisë, kishte marrë masat, e dinte si të luante, dinte kë të mbështeste dhe kë të sulmonte, kë të mbante afër dhe me kë të acarohej. Ishte gjithmonë i kujdesshëm, mbase ngaqë edhe studion ekonomik”.
Liami: Jashtë shtëpisë do të jem gjithmonë i njëjti
Pas daljes nga shtëpia si nënkampion, jeta për Liamin do të marrë një vrull të ri, duke nisur nga martesa, propozimi i pranuar i së cilës u bë brenda shtëpisë.
Që në krye të herës, ai deshi të shpjegonte deklaratat e tij të shumëkomentuar në lidhje me shpërndarjen e votave të publikut. “Nuk kam fajësuar publikun për humbjen time, siç kanë thënë disa. Unë kam thënë drejtpërsëdrejti që neqoftese Arbëri ka arritur diku, mendimi im, pa u keqkuptuar, është se e ka ndihmuar fakti që është votuar në bllok nga Kosova. E rëndësishme për mua është që shumë njerëz më kanë pëlqyer, më ndalojnë në rrugë, më përqafojnë, bëjnë fotografi dhe më duket se do të detyrohem të marr një makinë me qira, sepse e kam të vështirë të eci në rrugë”.
Prezente në studion e “Pasdites” ishte edhe e dashura e Liamit, gjermania Evelina, e cila foli me notat më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Më pëlqejnë shumë banesat apo njerëzit, të cilët tregohen shumë të afërt dhe të përzemërt me mua. A do të pranoja të jetoja në Tiranë? Nuk i dihet asnjëherë, të shohim”.
Vetë Liami, i pyetur mbi planet e tij të dasmës dhe mundësinë e zhvendosjes në Tiranë, tha: “Pse jo, edhe Tirana është një metropol i bukur dhe i madh, me një infrastrukturë që po vjen në ngritje dhe përmirësim. Nuk e di, kemi shumë gjëra për të bërë. Unë mund të garantoj vetëm që do të vazhdoj të bëj gjërat siç më vijnë t’i bëj, pasi kjo është pikërisht edhe ajo që më bëri të preferuar në “Big Brother””.
Genta: Për mua nis një jetë e re, në Tiranë dhe pa Rubensin
Një prej konkurrenteve më të debatuara të këtij edicioni, Genta e mbylli aventurën e saj në “Big Brother” si femra më e suksesshme, pasi ajo u mund vetëm nga dyshja Liam-Arbër.
“Në momentin e parë që dola, kryesorja që u takova me familjen, u çmalla, pasi më edhën në Tiranë. Kam dalë dhe isha në “Fan Club”, jam takuar me banorët e vjetër e kam pasur shumë reagime pozitive me njerëzit në rrugë dhe dua ta shpërblej sa më shumë këtë vëmendje. Kritika? Kisha marrë më shumë për gjëra jashtë se sa ato që bëra në shtëpi, por i pranoj të gjitha, si të mirat dhe të këqijat. E rëndësishme për mua ishte që arrita të jepja 100% të aftësive të mia në shtëpi, duke qenë tërësisht vetvetja”.
E vendosur në lupën e Flavio Qarrit, Genta ishte “personazhi më kompleks i edicionit. U duk një vajzë pa sekrete të mëdha, por që doli ndryshe. Sa i takon qëndrimit në shtëpi, Genta ka qenë femra më strategjike dhe kalkuluese, për shaka, batuta e zënka, ndërsa tamam si një gjeneral me përvojë, ktheu dobësinë e saj në forcën më të madhe. Mbase nuk ishte ajo femra e bukur, por në delikatesën e saj, u bë protagoniste herë me aleanca dhe armiqësi, hoqi shumë gështenja jo me dorën e saj, theu shumë tabu, por fotot e dyzuan publikun, a ishte viktima apo një thëngji i mbuluar?”.
“Ky është mendimi i Flavios, unë ajo jam. S’kam mbajtur gjë fshehur, gjithçka e shpjegova dhe nuk dua atë diskutohet përsëri çështja e fotove. Vetëm se ju garantoj se nëse do t’i kisha bërë vetë, ato do të ishin edhe më skandaloze dhe provokuese se ato. Fotot i ka patur Rubensi. Me të nuk kam folur, por familja e tij më kishte dërguar një mesazh mbështetjeje. Me të nuk dua të flas, sidomos pasi u qartësova për shumë gjëra. Ai e tregoi veten e tij dhe çdo shpjegim do të ishte i pavlerë. Lidhja me të ishte mbyllur prej kohësh, por tani nuk kemi më lidhje bashkë as si dy njerëz apo miq”.
Në lidhje me planet e saj të së ardhmes, Genta tregoi se ka si qëllim që të zhvendoset në Tiranë, ku dëshiron të gjejë një punë në televizion dhe të rinisë jetën e saj nga e para, me mbështetjen e plotë të familjes.
Françeska: Humba një vit shkollë, por ia vlejti tërësisht
Dalja nga shtëpia ka qenë shumë intensive edhe për Françeskën, e cila “pothuajse nuk ka fjetur fare gjumë”.
“Megjithatë, është e bukur të rikthehesh në këtë realitet. Kam takuar miqtë e mi dhe kam qëndruar me Ermalin pothuajse 24 orë në 24. Jam shumë e inkurajuar nga komentet pozitive të njerëzve”.
E vlerësuar nga Qarri si vajza me idetë më të qarta ndonjëherë në historinë e “Big Brother”, Françeska 18-vjeçare zbuloi se do të takohej me prindërit e Ermalit menjëherë pas emisionit dhe se për shkak të kohëzgjatjes së aventurës së saj në shtëpi, do të duhet të rikthehet edhe një herë të përsërisë vitin në shkollë. “Megjithatë, ishte një eksperiencë që ia vlejti. Humba një vit shkollë, por fitova shumë më tepër në “Big””.
Ermali: U penalizova nga mospasja e një strategjie
I renditur i pesti në finale, Ermali rrëfeu se si vazhdon të jetë ende i përfshirë nga emocionet e forta të pjesëmarrjes në “Big Brother”. “Në këto ditë jam takuar me miqtë, por pothuajse fare me familje. Kam qenë me Françeskën gjatë të gjithë kohës, kemi dalë dhe kudo na kanë pritur mirë. Brenda shtëpisë ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe tani jashtë marr frymë më lirisht. Pa dyshim, ka njerëz që të duartrokasin, të shajnë, që të kërkojnë fotografi, por s’më ka mbetur asnjë koment në mendje. Jo se s’ka patur, ka pasur shumë pozitivë dhe negativë, por nuk jam përqendruar tek to”.
Duke u ndalur tek mënyra se si luajti, 24-vjeçari shtoi: “Në një lojë të tillë duhet të bësh strategji dhe të kesh aleanca me disa banorë të tjerë që të arrish tek çmimi i madh. Duhet të përdorësh njerëzit brenda dhe unë nuk kam dashur ta bëj këtë. Strategji nuk kam pasur, sepse po të kisha do të kisha bërë më shumë se kaq, por s’është në karakterin tim ta bëj dhe jam i sigurt që do të të zgjaste një muaj dhe do të tregoja veten time. Mund të fitoja, por nuk do të ndihesha komod me veten. Edhe po të luaja, të njëjtin tonalitet zëri do të kisha. E kam egon pak të tepruar dhe do të prishja edhe grupin. Në një grup s’ka mundësi që të gjithë të kenë të njëjtat interesa, prandaj dikush duhet të jetë një lider dhe nëse do të kishte një të tillë, unë nuk do të kisha mundur të bashkëekzistoja me të”.
Vlonjati u përqendrua edhe tek lidhja me Françeskën, të cilën e konsideroi të fortë dhe serioze, në të njëjtën kohë që komentoi impaktin e këtij raporti brenda shtëpisë. “Prania e Françeskës ka qenë pozitive, mbi të gjitha në aspekt ndjenjash, por në lojë ishte e vështirë sepse të gjithë ngacmimet më vinin nga ajo. Duke qenë pika ime e dobët, ishte e natyrshme që të sulmohesha tek Françeska. Prandaj dhe kam këmbëngulur që secili prej nesh të identifikohej me veten”.
Në vlerësimin e tij, gazetari i vendosur në rolin e analistit të “Big Brother” në emisionin e “Pasdites”, Flavio Qarri, e komentoi kështu lojën e Ermalit: “E kotë ta fshehësh që Ermali ishte i pëlqyer absolut në fillimin e lojës dhe ky toni i zërit, aftësia për të vendosur kufinjtë tek thana, e bënë të dashur tek publiku. Lëshimi i peut u mor si shenjë dobësie dhe me pikën e dobët tek Françeska kjo situatë e penalizoi. Në finale mbërriti prej simpatisë që fitoi që në fillim, por nuk kishte më votat për të fituar”.
Top Channel