Komentet e ashpra të Christine Lagarde dhe pretendimet e saj se grekët duhet të paguajnë taksat që i shmangin prej kohësh, kanë shkaktuar zemërimin e partive politike në Greqi.

Lideri socialist Evangjelos Venizelos e akuzoi shefen e FMN-së “për ofendim të popullit grek”. Kreu i së majtës radikale Aleksis Tsipras insistoi të tregonte se punëtorët grekë vazhdojnë t’i shlyejnë detyrimet e tyre edhe pse janë të papërballueshme.

“Nëse kërkon njerëz që i shmangen taksave, le t’i drejtohet Pasok-ut dhe Nea Demokracias”, tha Tsipras.

“Le t`ia shpjegojnë ata përse pasanikët nuk janë prekur, ndërsa punëtorit të thjeshtë i janë vënë pas për dy vjet rresht”, shtoi Tsipras.

Qortime për sjelljen e Lagarde pati deri edhe ministrja franceze e të Drejtave të Gruas, Najat Vallaud-Belkacem, e cila tha për një televizion vendas se shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk duhet t`i kishte bërë ato komente.

Në intervistën për ‘The Guardian’, Lagarde u tregua tepër e ashpër dhe e drejtpërdrejtë kur tha se grekët nuk duhet të presin keqardhje dhe se ka ardhur koha të paguajnë taksat, duke lënë të kuptohet se kushtet e marrëveshjes se huasë nuk kanë për tu zbutur, por duhet të zbatohen deri në fund dhe se kriza ende nuk e ka përfunduar ciklin e vet, ndaj kohët e bukura për vendin helen kanë përfunduar.

“Më shumë shqetësohem për fëmijët e uritur në Afrikën sub-sahariane sesa për grekët e goditur nga problemet ekonomike”, u shpreh ajo.

Greqia ka premtuar të implementojë masat e rrepta anti-krizë në këmbim të dorëzanisë miliarda euroshe të BE-së dhe FMN-së. Por pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në muajin maj, marrëveshja rrezikon të dështojë.

Top Channel