Kriza e Fukushimes, ish-kryeministri: Isha ne panik

28/05/2012 15:55

Ish-Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, pranoi se u përfshi nga paniku gjatë krizës bërthamore të një viti më parë në reaktorin e Fukushimës, ndërsa shprehu zhgënjimin e tij që është bërë shumë pak për të siguruar vendin nga rreziku bërthamor në të ardhmen.

Duke folur si një aktivist i vendosur kundër energjisë bërthamore, Kan dëshmoi të hënën përballë një paneli parlamentar që po heton krizën që shkaktoi tërmeti me magnitudë 9,0 të shkallës rihter, pasuar nga një tsunami i fuqishëm, në mars 2011.

”U ndieva i paralizuar sepse nuk kisha shumë informacion nga agjensia regullatore qeveritare, “NISA” apo operatori i centralit, “TEPCO”. Më dukej sikur isha i pafuqishëm për të kundërreaguar dhe duhet të pranoj se u ndieva me të vërtetë i frikësuar”, deklaroi ish-kryeministri.

Gjatë dëshmisë, Kan vendosi gishtin kritik mbi veten, mbi burokracinë japoneze dhe vetë “TEPCO”-n, që sipas tij qëndruan duke parë, me shpresën që situata nuk do të dilte jashtë kontrollit.

Në një moment, ai zbuloi se i mbërriti një kërkesë nga operatori për të evakuar reaktorin dhe për të larguar të gjithë popullsinë nga Fukushima, por Kan e refuzoi.

”Nuk mund të lejoja që thjesht të hiqnim dorë, pasi në rast të një krize bërthamore, mund të detyroheshim të evakuonim 30 milionë banorë nga Tokio dhe kjo do të kishte gjunjëzuar krejt kombin”, tha ish-kryeministri.

Më parë gjatë javës, Yukio Edano, ish-shefi i kabinetit të qeverisë Kan, zbuloi se në kulmin e krizës kishte marrë një ofertë nga Uashingtoni për të dërguar në vend ekspertë bërthamorë amerikanë për përballimin e krizës, por Japonia kishte vendosur të refuzonte duke e gjykuar këtë ofertë si “të papërshtatshme”.

Në fund të hetimit, i pyetur për mendimin e tij rreth përmirësimeve që mund të bëjë Japonia për të rritur sigurinë në qendrat e saj bërthamore, Kan u shpreh: “E vetmja mënyrë për të qenë tërësisht të sigurt është mbyllja e të gjithë reaktorëve”.

Top Channel