Një lëkundje sizmike me fuqi 5.2 ballë është regjistruar në Japoni, me epiqendër në periferinë veri-lindore të Tokios, në prefekturën e Cibas, dhe me epiqendër 80 kilometra thellësi.
Lëkundja, e verifikuar rreth orë 18:36 me orën tonë, ka pasur një intensitet prej 4 shkallësh nga 7 që është shkalla maksimale në Japoni, ka bërë të ditur Agjencia Meteorologjike Japoneze.
Për momentin nuk rezulton të ketë dëme në njerëz apo materiale, por sipas agjencisë së lajmeve “Kyodoneës”, tërmeti ka bërë që të tronditen pallatet në të gjithë kryeqytetin.
Që nga fillimi i vitit në Japoni janë regjistruar një sërë tërmetesh të fuqishme, të cilat kanë rikthyer ethet e Fukushimës, në mars të vitit 2011, që pati efekte shkatërruese.
Tërmeti i vitit të kaluar shkaktoi edhe tsunamin që goditi impiantin bërthamor dhe rrafshoi zonat përreth, duke shkaktuar tragjedinë më të madhe që nga koha e Çernobillit.
Ngjarja në fjalë ka bërë që autoritetet japoneze të hartojnë një plan për të hequr gradualisht dorë nga energjia bërthamore dhe të kalojë tek ajo e rinovueshme.
Hipotezat sugjerojnë se në vitin 2030, gjenerimi elektrik nga atomi do të jetë i barabartë me 15 për qind të nevojave njerëzore, më pak se parashikimet e planeve të hartuara më parë, që flisnin për të paktën 50 për qind.
Top Channel