Indiani vret gruan, vishej si perëndimore

28/05/2012 18:35

E ka vrarë për xhelozi, por sidomos sepse vishej me stil perëndimor. Ky është skenari i një ngjarjeje, që ka si protagonist një emigrant indian në Itali që ka vrarë bashkëshorten e tij vetëm sepse ajo ishte moderne, ndoshta pak më shumë se ç’duhej.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Piaçencës, ku 36 vjeçari Singhj Kulbir ka mbytur me duart e tij bashkëshorten nga i njëjti vend, Kaur Balëinde, 27 vjeçe.

Burri e kishte vrarë gruan dhe e kishte hedhur në lumin Po 15 ditë më parë, ndërsa trupi i viktimës është gjetur vetëm ditën e djeshme nga një peshkatar.

Karabinierët, me t’u informuar kanë nisur hetimet dhe nga marrjet në pyetje dhe kontrollet në banesën e çiftit kanë arritur në përfundimin se vrasja kishte ndodhur pasi gruaja refuzonte të jetonte sipas zakoneve indiane.

Sipas raportimeve të mediave italiane, 36-vjeçari është arrestuar dhe ndodhet në qeli, në pritje të proçedurave ligjore që do të çojnë në gjykimin e tij.

Top Channel