Annan në Siri: Fund dhunës

28/05/2012 20:50

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Kofi Annan mbërriti në kryeqytetin e vendit, Damask, 6 javë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të propozuar prej tij, që nuk arriti t’i vërë fre dhunës.

Ndërsa ai përgatitej të udhëtonte, forcat e presidentit Bashar al Assad vranë 41 persona të tjerë, përfshirë 8 fëmijë, me sulmet e artilierisë së 24 orëve të fundit mbi qytetin Hama.

Raportimi i aktivistëve sirianë vjen në vazhdën e jehonës ndërkombëtare që pati masakra e së premtes në Hula, ku vdiqën 108 civilë, një pjesë e të cilëve të mitur.

Këshilli i Sigurimit e dënoi ashpër ngjarjen, duke thënë se qeveria siriane shkeli ligjin ndërkombëtar. Edhe Annan iu referua episodit shokues, duke e cilësuar një “krim brutal”, përgjegjësit e të cilit duhet të japin llogari.

“Nga sa kam mësuar, edhe qeveria po heton mbi këtë krim. Por dua të them se në fund janë qytetarët e Sirisë, njerëzit e thjeshtë, ata që po paguajnë çmimin më të rëndë të këtij konflikti. Objektivi ynë është t’i japim fund vuajtjeve. E gjithë kjo duhet të mbarojë, dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi Annan.

Por Rusia edhe një herë ka dalë në krah të Damaskut. Rebelët sirianë janë pjesërisht përgjegjës për masakrën e Hulas, deklaroi sot ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Lavrov, qeveria e të cilit mbetet një aleate e ngushtë e regjimit sirian, tha se disa prej viktimave ishin qëlluar nga afër, në një zonë të kontrolluar prej rebelëve.

“Kemi të bëjmë me një situatë ku është e qartë se të dyja palët kanë pasur gisht në vdekjen e personave të pafajshëm, përfshirë këtu dhjetëra gra e fëmijë. Rajoni për të cilin po flasim kontrollohet nga luftëtarë të armatosur dhe është njëkohësisht i rrethuar nga trupat qeveritare”, deklaroi Lavrov.

Vizita e Annanit ka për qëllim nisjen e bisedimeve mbi implementimin e planit të tij të paqes. I dërguari i OKB-së bëri thirrje që çdo person i armatosur të heqë dorë nga dhuna e të ulë armët. “Erdha në Siri në një moment vërtet kritik të krizës”, u shpreh ai pas mbërritjes.

Luftimet në mbarë vendin kanë vazhduar pavarësisht shpërndarjes së 280 vëzhguesve të OKB-së në terren, të cilët po monitorojnë nga afër situatën pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga Anan.

Sipas planit të tij, të dyja palët duhet t’i kishin dhënë fund luftimeve më 12 prill, ndërsa qeveria duhet të tërhiqte tanket dhe frocat ushtarake nga zonat e banuara. Që prej fillimit të revoltës kundër presidentit Assad marsin e vitit 2011, në trazirat që kanë përfshirë vendin kanë humbur jetën të paktën 10 mijë vetë.

Top Channel