Qytetarët e Ferizajt patën mundësinë që të zgjedhin kryetarin e ardhshëm të komunës së tyre, duke zgjedhur ndërmjet Agim Aliut të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Adem Salihajt të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E diela në këtë komunë ishte ditë e qetë, dhe sipas kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, dita e votimit u shënua pa ndonjë incident që do të dëmtonte imazhin e këtyre zgjedhjeve.Ndërsa, në organizatat nga shoqëria civile shprehën qëndrim të njëjtë, por thanë se u shënuan edhe disa parregullësi të vogla, që tashmë janë bërë të zakonshme, si votimet familjare apo edhe vështirësit në gjetjen e emrit në listën votuese.

Sidoqoftë, ajo që binte në sy tek qendrat e votimit ishte numri i vogël i qytetarëve që shkonin për të hedhur votën e tyre. Ata që votuan kërkuan nga kryetari i ardhshëm, i cili do të ketë një mandat më shumë se një vjeçar, duhet të punojë në përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj ane.

Në Ferizaj këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm Bajrush Xhemajli. Në raundin e parë nga tetë kandidatë, vetëm Agim Aliu nga PDK dhe Adem Salihaj nga LDK morën më së shumti vota.Kandidati i PDK-së ishte renditur i pari me 41 % të votave, kurse i LDK-së me 24% të të gjitha votave të vlefshme.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë është më shumë se 95 mijë. Në raundin e pare, të 30 prillit, të drejtën e tyre për të votuar e shfrytëzuan rreth 30 mijë persona, shprehur në përqindje rreth 31 përqind.

Top Channel