Vlorë, makina përplas furgonin me fëmijë

26/05/2012 09:30

Një aksident rrugor, për fat të mirë pa pasoja të rënda, është verifikuar mëngjesin e të shtunës në qytetin jugor të Vlorës.

Autoritetet lokale njoftojnë se një makinë e vogël është përplasur me një furgon që transportonte fëmijët e një kopshti.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në lagjen e Skelës. Në momentin e përplasjes, në furgon udhëtonin tre fëmijë, të cilët kanë marrë lëndime të lehta.

Burimet shtojnë më tej se gjithësesi, të vegjlit janë ekzaminuar nga një grup mjekësor i mbërritur në vendin e ngjarjes, që ka konstatuar se ata nuk kanë asnjë rrezik.

Ende nuk janë të qarta rrethanat e aksidentit, të cilat pritet të zbardhen me marrjen në pyetje të dy shoferëve, por ajo që mund të thuhet është se në qytetin e Vlorës mungojnë semaforët.

Ndërkohë, mbrëmjen e së premtes një aksident automobilistik u regjistrua pranë Gjirit të Lalëzit, ku tre persona mbetën të plagosur.

Një automjet tip “Fiat” me targa Durrësi doli nga rruga dhe u përplas dhunshëm dhe për pasojë mbeti i plagosur rëndë drejtuesi, shtetasi Ervin Roza.

Autoritetet lokale njoftuan se Roza, 27 vjeç, kishte humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë së lartë. Ai u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë për mjekime më profesionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA