Tiranë, aksion për lirimin e hapësirave publike

26/05/2012 00:00

Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit kanë nisur të shtunën paradite një
aksion në Tiranë për prishjen e ndërtimeve dhe shtesave pa leje dhe
veçanërisht për lirimin e hapësirave publike.

Aksioni i Bashkisë së Tiranës është përqendruar në zonën e ish-Bllokut, ku është duke vijuar ende. Policia bashkiake ka hequr fillimisht fasadën rrethuese të ish-pub ‘Manhatan’, e cila qëndronte prej kohësh jashtë pubit dhe kishte zënë pothuajse gjithë trotuarin duke i detyruar këmbësorët që të ecnin në rrugën e makinave.

Sipas informacioneve të përcjella nga policia bashkiake, personi që zotëron ambientet e ish-pub nuk ka asnjë dokument që të justifikojë shtesën, ndaj është marrë vendimi për heqjen e strukturës metalike dhe lirimin e ambientit të trotuarit, i zënë prej shumë kohësh.

Forcat e policisë bashkiake janë drejtuar edhe nga vetë drejtori Florenc Hoxha, por janë shoqëruar edhe nga forcat e policisë së rendit dhe kanë dalë kështu sërish në terren duke u përqendruar në zonë e ish-Bllokut. Në këtë zonë është vënë re gjithmonë një prirje e pronarëve të lokaleve për të zënë hapësirat publike në mënyrë të paligjshme dhe pa pasur lejet përkatëse për shtesat në objektet e tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta