PE, kritika Azerbajxhanit

26/05/2012 01:19

Parlamenti Europian kritikoi Komisionin për qëndrime jo konseguente gjatë debatit për shkeljen e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan, vend ku ndërkohë po mbahet festivali europian i këngës.

“Ndërsa finalistët e Eurovizionit ngrohin zërat e tyre e praktikojnë kërcimet e rutinës, zërat e njerëzve të Azerbajxhanit mbyten. Aq sa autoritetet do donin t’a kthenin garën e Eurovizionit në “spektaklin e Azerbajxhanit madhështor”. Bota nuk është verbuar nga joshjet, vezullimet dhe propaganda. Ne jemi shumë të shqetësuar për dhunimin e vazhdueshëm të të Drejtave të Njeriut në Azerbajxhan, dhe deklaratat e rafinuara prej qeverive nuk bindin, vetëm veprimet janë ato që flasin”, deklaroi Marietje Schaake, eurodeputete, ALDE.

“Shumë prej jush përmendët garën e këngës europiane dhe gara e këngës europiane ofroi me të vërtetë një dritare të re mundësie për autoritetet. Por me sa duket kjo mundësi qënka humbur”, tha Janez Potocnik, Komisioner Europian për Mjedisin:

“Le t’a themi troç, bota, përfshirë BE-në, është e interesuar në Azerbajxhan veç për gaz e naftë, dhe tubacionet e rëndësishme që kalojnë në Uzbekistan dhe Kazakistan, e neve nuk n’a interesojnë njërëzit e Azerbajxhanit. Nëse Komisioneri Fyle kritikon situatën e të Drejtave të Njeriut atje, dy javë më pas Presidenti Barrozo shkoi në Baku dhe ai nuk i përmendi të drejtat e njeriut as një herë të vetme. Pastaj, çfarë mesazhi lë BE? Mos vrit mendjen për të drejtat e njeriut, se gjithçka bëhet për energjinë”, tha Gerben-Jan GERBRANDY, eurodeputet, ALDE.     
 
Liria e shprehjes në Azerbajxhan është shqetësuese për Parlamentin Europian, sepse raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dënon mungesën e televizioneve të pavarura, intimidimin e atyre pak gazetarëve të pavarur të shtypit të shkruar apo internetit, disa prej të cilëve janë arrestuar mbi akuza të rreme.

Ndërsa gjatë javës së festivalit europian të këngës në Baku, policia arrestonte dhe godiste protestuesë, sipas Amnesty International, që kërkoi nga Unioni i transmetuesve publikë europianë që të reagojë për këtë ndaj autoriteteve vendase, ndërkohë që miliona europianë presin natën finale të së shtunës.
 
Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel