Azerbajxhani: Homoseksualët nuk ekzistojnë

26/05/2012 17:05

E ndërsa në shumë vende luftohet homofobia, e disa të tjera kanë dhënë dritën jeshile për këto komunitete për të lidhur madje edhe martesë ligjore, në Azerbajxhan, kjo kategori “as që ekziston”.

Autoritetet azere, të vendosura në qendër të kritikave edhe nga Parlamenti Europian për shkeljen e të drejtave të njeriut, mohojnë ekzistencën e homoseksualëve.

“Ne nuk e kemi këtë problem. Në vendin tonë mund të jenë dy ose tre persona me këtë sëmundje, që dikush, diku po përpiqet ta shndërrojë në një cështje kombëtare. Por ne s’e kemi këtë problem”, thotë Hadi Rajabl, kreu i Komisionit për Politikat Sociale në parlamentin azer.

Në fakt të mendosh për të drejta të homoseksualëve në Azerbajxhan është disi e tepërt kur atje nuk respektohet as liria e shprehjes apo e manifestimit. Pikërisht për dhunimin e këtyre të drejtave, ndaj Bakut janë adresuar një sërë kritikash.

Top Channel