Turqi, autobombë pranë komisariatit, viktima

25/05/2012 11:10

Një polic mbeti i vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një autobombë shpërtheu pranë një komisariati policie në krahinën turke të Kajserit.

Mediat ndërkombëtare raportuan mëngjesin e së premtes se një autoveturë u përpoq të shpërthente derën e komisariatit të qytetit të Pinarbisit, por drejtuesi u detyrua të zmbrapsej pas kundërpërgjigjes së vendosur të policëve.

Sipas Agjensisë Turke të Lajmeve “Anatolia”, shpërthimi ndodhi pikërisht në momentet kur mjeti po tërhiqej.

Me dhjetëra civilë gjithashtu u lënduan nga ky shpërthim dhe disa prej tyre raportohen në gjendje kritike.

Ndonëse është ende shumë herët për të nxjerrë përfundime, disa media turke kanë nxituar të fajësojnë rebelët e Partisë Popullore Kurde.

Vetëm një ditë më parë, një politikane e konsideruar si një heroinë nga popullsia kurde për mbrojtjen e vendosur që i ka bërë të drejtave të kësaj pakice në Parlamentin e Turqisë, Leyla Zana, u dënua me dhjetë vjet burgim për propagandë antikombëtare.

Për këtë arsye, sulmi ndaj komisariatit mund të jetë në fakt një veprim hakmarrës i rebelëve që luftojnë prej dekadash për pavarësinë e disa krahinave lindore turke.

Top Channel