Senati Amerikan vendosi të premten për ndërprerjen e menjëhershme të një ndihme prej 33 milionë dollarësh për Pakistanin, në kundërpërgjigje të burgosjes së doktorit që i dha informata CIA-s për vendndodhjen e Osama Bin Ladenit.
Një komision i posaçëm i Senatit deklaroi se ndihma do të vazhdojë të reduktohet për çdo vit burgim që do të vuajë Shakil Afridi.
Sekretarja Amerikane, Hillary Clinton, gjithashtu ka protestuar duke e konsideruar këtë burgosje si të paligjshme dhe të pajustifikuar. Sipas saj, gjykata injoroi në arsyetimin e saj faktin se mjeku i shërbeu interesave të përbashkëta amerikano-pakistaneze.
Më parë gjatë javës, Afridi u shpall fajtor për tradhëti të lartë kombëtare dhe u dënua me 30 vjet heqje lirie.
Informatat e tij ishin vendimtare për operacionin e një njësie elitë të ushtrisë amerikane, që vrau kreun e Al-Kaedës në banesën e tij në Abotabad, Pakistan, në maj 2011.
Si rrjedhojë e përkeqësimit të marrëdhënieve me Islamabadin zyrtar, Shtëpia e Bardhë kishte reduktuar edhe më parë buxhetin e ndihmës ushtarake dhe civile për Pakistanin.
“Ne kemi nevojë për Pakistanin dhe Pakistani ka nevojë për ne, por raporti i tyre i dyfishtë dhe dënimi i njeriut që solli Osama Bin Ladenin në fundin e tij të merituar është i papranueshëm”, deklaroi senatori republikan, Lindsey Graham, duke e konsideruar Pakistanin një “aleat skizofren”.
Ndërkohë, senatori demokrat, Patrick Leahy, ironizoi duke thënë se “nëse të dy vendet kanë bashkëpunim, atëherë mbase bëhet fjalë për Lizën në botën e çudirave”.
Top Channel