Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Progresiste, me argumentin se dëshiron të jetë president i gjithë qytetarëve.

Sipas mediave serbe, Nikoliç ia la postin zëvendësit të tij, Aleksander Vuçiç, i cili do të drejtojë partinë deri në kongresin e ardhshëm të saj.

Ndër të tjera, Nikoliç u kërkoi politikanëve serbë që të formojnë sa më parë qeverinë e re, në mënyrë që në vend të mos krijohet një vakum institucional.

Politikani radikal, që së fundmi shfaqet si demokrat, fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e së dielës përballë rivalit të tij, Boris Tadiç. Ai pritet të betohet si kreu i ri i shtetit muajin e ardhshëm.

Ndërkohë, vizitën e tij të parë jashtë vendit Nikoliç do ta zhvillojë në Rusi, ku do të marrë pjesë në kongresin e partisë Rusia e Bashkuar, e drejtuar nga presidenti Vladimir Putin.

Lajmin e bëri të ditur një ditë më parë agjencia “Reuters”, që citonte një këshilltar të Nikoliç, i cili preferoi të ruante anonimatin.

Sipas burimit, vizita në fjalë ishte planifikuar nga Nikoliç që përpara se ai të fitonte betejën presidenciale me Tadiç në raundin e dytë të 20 majit.

Zgjedhjet në Serbi, në veçanti ato presidenciale, kanë bërë që Brukseli të devijojë vëmendjen nga bisedimet Kosovë-Serbi tek zhvillimet politike në Beograd.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, përmes zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, i bënë thirrje presidentit të ri që të punojë në mënyrë konstruktive me Kosovën.

Top Channel