Debati nëse rekomandimi i votuar në Kuvend javë më parë, që i bën thirrje Qeverisë të kushtëzojë bisedimet me Serbinë deri në zbardhjen e plotë të fatit të të pagjeturve, është obligativ ose jo për Qeverinë, vazhdon edhe më tej.

Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përsëritur të enjten gjatë seancës se rekomandimet e votuara në Kuvend nuk janë obliguese për Qeverinë, ndërsa ka kujtuar se vetëm mocioni i mos-besimit të Qeverisë është obligativ.
 
“Ne në seancën për të cilën po flas kemi miratuar rekomandimet dhe ato nuk kanë fuqi ligjore. Vetëm një mocion është detyrures për qeverinë, mocioni i mosbesimit”, deklaroi Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Por, kjo deklaratë e Krasniqit ka nxitur reagimin e opozitës në Kosovë. Përfaqësues të partive opozitare janë shprehur se të gjitha vendimet e Kuvendit janë të obligueshme për Qeverinë.

“Më është dukur sikur kryeparlamentari ka folur më tepër si zyrtar i partisë në pushtet se sa si figura kryesore politike që e ka përgjegjësi për të mbrojtur pavarësinë e Kuvendit të Kosovës” tha Glauk Konjufca i VV.
            
Ndryshe, përveç kryekuvendarit Jakup Krasniqi, edhe përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ka thënë se nuk janë të obligueshme këto rekomandime për Qeverinë.

Top Channel