Itali, rihapen hetimet për vrasjen e ’48-ës

25/05/2012 16:50

Prokuroria e Palermos, në Itali, ka rihapur hetimet mbi një vrasje të kryer nga mafia 64 vjet më parë, në qytezën famëkeqe Korleone, në Siçili.

Sipas raportimeve të agjencisë italiane të lajmeve “ANSA”, çështja u është besuar dy prokurorëve të kryeqendrës së ishullit, por për momentin nuk ka asnjë të akuzuar.

Sindikalisti Placido Rizzoto, sekretar i Dhomës së Punës në Korleone, u rrëmbye nga mafia më 10 mars të vitit 1948 dhe pasi u rrah për vdekje, trupi i tij u hodh në një greminë.

Mbetjet trupore të tij u gjetën disa muaj më vonë, por në atë kohë nuk ishte i mundur identifikimi, që u bë vetëm në vitin 2012 përmes krahasimit të ADN-së së tij me atë të një familjari.

Pas konfirmimit të identitetit, ditën e enjte në Korleone u mbajt një ceremoni mortore zyrtare në nder të Rizzoto, që dekada më parë iu kundërvu mafies që tentonte të grabiste pronat e fshatarëve.

Korleone, qyteti-fshat që ndodhet pranë Palermos, është bërë i famshëm nga saga “Kumbari”, me Al Pacino, Marlon Brando, etj, por edhe sepse ka nxjerrë disa nga bosët më të egër të mafias siçiliane si Toto Riina e Bernardo Provenzano.

Top Channel