Inspektorët e agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore kanë gjetur uranium të pasuruar në nivelin 27 për qind në impiantin bërthamor të Fordos, në Iran.
Kështu thotë një raport konfidencial i siguruar nga BBC, i cili vjen një ditë pasi Irani dhe fuqitë botërore zhvilluan bisedime për programin bërthamor iranian.
Irani thotë se synimi i impiantit të Fordos është të pasurojë uranium për përdorim civil në shkallën 20 për qind dhe pretendon se zbulimet e fundit të ANEB janë aksidentale.
Por nga ana tjetër, analistët perëndimorë deklarojnë se niveli 27 për qind mund ta çojë Iranin pranë prodhimit të armëve me uranium të graduar.
Raporti i fundit i ANEB-së thotë se autoritetet iraniane u kanë thënë inspektorëve se prodhimi i uraniumit në këtë shkallë mund të ndodhë për arsye teknike që shkojnë përtej kontrollit të operatorit.
Irani insiston se programi i tij është tërësisht paqësor, por vendet perëndimore druhen se Teherani po përpiqet të ngrejë armë bërthamore, që kërkojnë një uranium të pasuruar në 90 për qind.
Pas bisedimeve të fundit të nivelit të lartë të mbajtur në Bagdad, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton deklaroi se “diferenca domethënëse” mbeten mes palëve, por shtoi se disa terrene të përbashkëta ishin gjetur.
Bisedime të mëtejshme mes Iranit dhe gjashtë fuqive, Britania, SHBA, Kina, Rusia, Franca dhe Gjermania, do të mbahen në Moskë muajin e ardhshëm.
Top Channel