Një raund i ri bisedimesh për programin bërthamor të Iranit do të mbahet në Moskë në muajin qershor, lajmëruan burimet zyrtare, pasi dita e dytë e takimeve në Bagdad midis Teheranit dhe gjashtë superfuqive nuk arriti të prodhonte një kompromis.
Shefja e diplomacisë europiane, baronesha Catherine Ashton, deklaroi se mbeten ende “disa divergjenca të rëndësishme”, ndonëse shtoi se “janë bërë disa hapa të rëndësishme përpara dhe janë vendosur piketat për negociatat e ardhshme”.
Për 48 orë, pesë fuqitë me të drejtë veto në OKB, SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani, plus Gjermania, negociuan me Iranin duke i ofruar asistencë në programin bërthamor civil, nëse heq dorë nga pasurimi i uraniumit, lëndë që përdoret për të furnizuar armët e shkatërrimit në masë.
Nga ana e tij, Teherani paraqiti një kundërpropozim prej pesë pikash, ndërsa riktheksoi se programi i tij i deritanishëm, përfshi procesi i pasurimit në reaktorë është në përputhje me parimin e sovranitetit kombëtar.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas takimit të së enjtes, Ashton i përshkroi dy ditët e bisedimeve në kryeqytetin iraken si “intensive”.
“Është e qartë që të dyja palët dëshirojnë të bëjnë progres dhe është arritur një mirëkuptim në thelb. Sidoqoftë, mbeten ende pika ku qëndrimi i secilës palë është lar një kompromisi”. Nga ana e tij, kryenegociatori iranian për çështjen bërthamore, Saeed Jalili, përsëriti se Irani nuk ka kryer asnjë shkelje nga ana ligjore.
Një takim i ri do të mbahet në Moskë në datat 18-19 qershor.
Top Channel