Aktiviteti i bizneseve europiane shënoi normën më të ulët në muajin maj, sipas një vëzhgimi të realizuar nga agjensia e specializuar “Markit”.
Indeksi, i cili merr parasysh fuqinë blerëse, prodhimin dhe shërbimet e ofruara nga kompanitë private, ra në nivelin 45,9, më i ulët në 35 muaj.
Një indeks më i ulët se 50 tregon për rënie. Ndërkohë, euro vazhdon të dobësohet përballë monedhave të tjera, ndërsa regjistroi nivelin më të ulët në 22 muaj përballë dollarit, pasi një euro u shkëmbye të enjten me 1,25 dollarë.
Samiti i liderve amerikanë ditën e mërkurë nuk arriti të rikthente besimin e munguar të investitorëve dhe biznesit, pasi drejtues kryesorë të shteteve nuk arritën të formulonin një qëndrim të përbashkët përballë krizës.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, këmbëngul në krijimin e bonove europiane të thesarit, çka do të lejonte vendet në vështirësi financiare që të merrnin kredi me interesa shumë më të ulta.
Megjithatë, Gjermania i është kundërvënë kësaj skeme, deri në momentin që norma më të forta financiare do të aplikohen për të gjithë vendet antare.
Në samit, kriza politike greke gjithashtu ishte në fokus, ndërsa u bisedua edhe për mundësinë e rikthimit të vendit në dhrahmi, edhe pse për BE-në, zyrtarisht nuk ka gjasa që diçka e tillë të ndodhë.
Top Channel