Liderja e opozitës në Birmani, Aung San Suu Kyi do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që do të zhvillohet në Bangkok javën e ardhshme, duke lënë vendin e saj për herë të parë në 24 vjet.
Ajo do të ndjekë samitin që do të mbahet nga 30 maji deri më 1 qershor, ka bërë të ditur një zëdhënës i partisë së saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci.
Edhe presidenti i Birmanisë, Thein Sein pritet që të marrë gjithashtu pjesë në këtë eveniment. Zonja Suu Kyi ka kaluar shumicën e dy dekadave të fundit në arrest shtëpie, si e burgosur politike.
Por, në kuadër të proçesit të reformave që nisi në vendin aziatik, ajo u lirua vonë gjatë vitit 2010 dhe fitoi vendin e saj në Parlament në zgjedhjet e muajit të kaluar.
Zonja Suu Kyi, që ka qëndruar në Birmani për shkak se druhej se nëse linte vendin nuk do t’i lejohej të kthehej, mori një pasaportë për herë të parë pas më shumë se dy dekadash më herët gjatë muajit.
Gjatë muajit të ardhshëm ajo planifikon gjithashtu të udhëtojë në Evropë, ku do të marrë dhe çmimin Nobël për Paqen, të cilin e fitoi në vitin 1991 në Oslo të Norvegjisë.
Ajo gjithashtu ka pranuar të mbajë një fjalim në Parlamentin britanik më 21 qershor, gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, ku dhe jetoi për shumë vite me bashkëshortin e saj dhe fëmijët.
Zonja Suu Kyi vizitoi Birmaninë në vitin 1988 për t’i qëndruar afër mamasë së saj të sëmurë dhe nuk e ka lënë vendin që atëherë, pas shpërthimit të protestave.
Top Channel