Bisedimet midis gjashtë superfuqive botërore dhe Iranit në lidhje me programin bërthamor të këtij të fundit janë shtyrë edhe një ditë më shumë, pasi në negociatat e së martës e të mërkurës në Bagdad nuk u realizua një marrëveshje.
Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB, SHBA, Britania, Franca, Rusia dhe Kina, plus Gjermania, i bënë një ofertë që besohet se përfshin edhe lehtësimin sanksioneve ekonomike, në këmbim të ndërprerjes graduale të zhvillimit të programit.
Superfuqitë dyshojnë se Irani është duke zhvilluar armë të shkatërrimit në masë, pretendim që vendi aziatik e hedh poshtë.
Sipas Teheranit, është e drejta e tij sovrane që të ketë një program të pasurimit të uraniumit për “qëllime civile”.
Konkretisht, gjashtë superfuqitë i kanë ofruar Iranit bashkëpunim në sigurinë nukleare dhe ndërtimin e kapaciteteve për qëllim civil, në këmbim të ndërprerjes së procesit të pasurimit të uraniumit.
Agjensia zyrtare e lajmeve, “IRNA”, u shpreh se oferta e ndërkombëtarëve nuk “ishte e balancuar”.
Mediat iraniane shtuan se kryenegociatori iranian për çështjet bërthamore, Saeed Jalili, ka paraqitur në tryezën e bisedimeve një plan prej pesë pikash, por pa dhënë detaje të tjera.
Mbetet e paqartë se për çfarë do të bisedohet në ditën shtesë të vendosur për negociatat.
Top Channel