Samiti i Bashkimit Europian

24/05/2012 01:30

Samiti informal i Brukselit u çel me thirrjen e Presidentit Van Rompuy për diskutime të sinqerta me vullnet kompromisi, për të hapur perspektivën e shpresës për të gjithë qytetarët evropianë në lidhje me rritjen ekonomike dhe punësimin.

Pas udhëtimit me tren nga Parisi, në shoqërinë e mbështetësit spanjoll Mariano Rajoy, Presidenti francez François Hollande deklaroi në nisje të takimit se duhen dëgjuar idetë e të gjithëve.

François Hollande, President i Francës:

“Duhet të veprojmë menjëherë për rritjen ekonomike, pasi po nuk vumë në vend masa dhe instrumente për rritjen nuk do të jemi kurrë të aftë të arrijmë reduktimin e synuar të defiçitit. Qëndrimi i Francës është shumë i thjeshtë, duhet të respektojmë masat për të reduktuar defiçitin por duhet të nxisim më shumë rritje, jo vetëm për Francën, por për të gjithë Evropën.”

Një tjetër mbështetës i Hollande, italiani Mario Monti, duke e vlerësuar prioritare rritjen ekonomike, zëvendësoi “Rregullën e Artë” (Golden Rule) me termin “Investimet Publike”, me qëllim lehtësimin e konsensusit në bisedime.

Mari Monti, Kryeministër i Italisë:

“Besoj se do të dëgjojmë ide të forta, dhe investimet publike e eurobondet i përkasin kësaj kategorie. E dimë që vende të ndryshme anëtare nuk mund t’i gëlltisin në pak kohë, prandaj duhen gjetur edhe disa zgjidhje për periudhën afatshkurtër, që të shkojmë shpejt drejt konsensusit në fund të qershorit”.

Në darkën e parë informale, nga ku nuk priten konkluzione; “i riu” Hollande do të provojë përballjen me 26 homologët evropianë, veçanërisht me Kancerlaren Merkel dhe vendet që mbështesin qëndrimin e saj. E pyetur për idenë e eurobondeve, Merkel dha prerë e që në nisje shijen e darkës:

Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë:

“Nuk janë diçka që mund të kontribuojë për rritjen ekonomike. Vetëm sa do të përsërisnim gabimet serioze të së kaluarës kur vendet lejoheshin të merrnin borxh me interesa të ulëta pa bërë asnjë reformë.”

Megjithëse greku Pikrammenos ishte personi që në Bruksel e takuan shumë e donin ta takonin të gjithë, për t’i përsëritur se duhet të respektojë angazhimet, Greqia mbeti për t’u diskutuar vetëm në fund të darkës së krerëve të vendeve dhe qeverive evropiane, e cila parashikohet të jetë e gjatë.

Van Rompuy: Greqinë e duam në euro

Kreu i BE-së, Hemran Van Rompuy pas takimit informal të BE-së, tha për mediat se dëshira e eurozonës është që Greqia të qëndrojë në komunitetin e monedhës së përbashkët.     

“Ne duam që Greqia rë rrijë në euro duke respektuar të gjitha angazhimet e bëra” tha presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, në konferencën e shtypit pas takimit të BE-së në Bruksel.

Para takimit të BE kishte qarkulluar lajmi se ekzistonte një dokument me një plan të fshehtë që linte në mënyrë implicite të kuptohej se BE-ja ishte përgatitur për stabilitetin financiar të euros në rast se Athina dilte nga zona.

Top Channel