Rusi, lirohen blogerët anti-Putin

24/05/2012 08:15

Janë liruar mëngjesin e së enjtes, pas 15 ditësh burgim, blogeri popullor anti-Putin, Alexei Navalni dhe shefi i Frontit të së Majtës, Serghei Udaltsov.

Navalni dhe Udaltsov kanë qenë liderët kryesorë të protestës kundër presidentit të ri dhe u arrestuan më 8 maj pasi nuk iu bindën forcave të policisë.

Ata u pritën nga dhjetra gazetarë dhe shumë admirues të tjerë, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare në raportimet e tyre online, mëngjesin e ditës së sotme.

Më herët, Amnesty International i kishte cilësuar ata si të burgosur të ndërgjegjes. Gjatë burgimit, Udaltsov kishte nisur një grevë urie dhe ishte shtruar në spital.

Pak ditë më parë, partia e presidentit të rizgjedhur, Rusia e Bashkuar, prezantoi një projekt/ligj për të ashpërsuar gjobat kundër manifestimeve pa leje.

Projekti i partisë në pushtet parashikonte gjoba që variojnë nga 1.5 milionë rubli, ose 38 mijë euro, për organizatorët dhe 1 milion rubli, ose 25 mijë euro, për pjesëmarrësit.

Por projekt/ligji, sipas të gjitha gjasave i nxitur nga vetë presidenti Vladimir Putin, hasi në kundërshtimin e partive të tjera si ajo Komuniste, Rusia e Drejtë dhe Liberaldemokrate.

Putin, i cili u betua si kryetar shteti më herët gjatë muajit, është përballur me protesta të shumta të popullsisë kundër lidershipit të tij, që nisën që para zhvillimit të zgjedhjeve.

Gjithashtu, qytetarët rusë nuk kanë mirëpritur rrokadën Putin-Medvedev, që vuri këtë të fundit në postin e kryeministrit pas një mandati të vetëm në krye të Kremlinit.

Edhe qeveria e re, e prezantuar nga presidenti Putin të hënën, përbëhet kryesisht nga fytyra të vjetra, mes të cilave spikat ajo e ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, ministrit të Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov dhe e zëvendëskryeministrit Igor Shuvalov.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA