
Një sulm amerikan me avion të telekomanduar ka vrarë të paktën tetë persona në një zonë tribale në veri-perëndim të Pakistanit.
Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave sulmi kishte si objektiv persona të dyshuar si militantë me origjinë turkmene, në Uaziristanin Verior.
Ky është sulmi i dytë që kryhet në të njëjtën zonë brenda 24 orëve. Të paktën katër militantë të dyshuar u vranë ditën e mërkurë.
Sulmet me avionë të telekomanduar, të njohur ndryshe si dronë, janë të zakonshëm në zonat e largëta tribale të Pakistanit, ku strehohen shumë rebelë.
Avioni qëlloi dy raketa në një shtëpi në zonën Isokhel dhe përveç kësaj ndërtese dëme materiale ka pësuar edhe një xhami që ndodhet pranë saj.
Autoritetet deklarojnë më tej se, pesë persona mbetën të vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të tjerë humbën jetën më vonë për shkak të plagëve të marra.
Rajoni, në afërsi të kufirit afgan, njihet si një bastion i guerrilasve talebanë dhe një vend ku veprojnë disa grupe militantësh të huaj, raporton korrespondenti i BBC, Aleem Maqbool.
Sulmi vjen disa javë pasi parlamenti pakistanez arriti në konkluzionin se marrëdhëniet e “krisura” me Shtetet e Bashkuara mund të riparohen vetëm nëse u jepej fund sulmeve me dronë.
Kriza e marrëdhënieve dypalëshe, e cila arriti kulmin me vrasjen e 24 ushtarëve pakistanez nga forcat e NATO-s, nuk u zgjidh dot as në samitin e Aleancës në Çikago.
Të dyja palët e patën të pamundur të arrinin një marrëveshje mbi kushtet e Pakistanit për rihapjen e rrugëve të furnizimit të trupave të huaja që veprojnë në Afganistan.
Top Channel