Ish-drejtuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, iu drejtua drejtësisë franceze me një kërkesë për të rrëzuar një urdhër që shtrëgon lirinë e tij të shprehjes dhe lëvizjes.
63-vjeçari është duke u hetuar nga një gjykatë në lidhje me përfshirjen e tij në një rrjet prostitucioni në veriun e Francës.
Aktualisht, mbi Strauss-Kahn rëndon një urdhëresë e gjykatës që e pengon atë të flasë në media në lidhje me çështjen.
I konsideruar si kandidati më i fortë i socialistëve përballë ish-presidentit Sarkozy deri përpara shpërthimit të skandalit të përdhunimit të një shërbyese hoteli në vitin 2011, Strauss-Kahn mohon të gjitha akuzat, ndërsa konsideron si të pakuptimtë ndalimin që i bëhet të drejtës së tij për t’u shprehur lirshëm.
Avokati mbrojtës i ish-kreut të FMN-së, Henri Leclerc, deklaroi: “Jemi paraqitur në gjykatë për të sfiduar ndalesën e çuditshme të shprehjes së lirë, sidomos në një kohë kur është vetë shtypi ai që po shkruan përditë rreth tij”.
Aktualisht, Strauss-Kahn po hetohet pas akuzave se ai ka negociuar me tutotë për shërbimet e prostitutave në qytetin e Lilës.
Top Channel