Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje presidentit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, që të punojë me Kosovën.

Sipas “REL”, apeli është bërë nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland gjatë një konference për shtyp.

“Ne e inkurajojmë presidentin e ri të Serbisë që të respektojë stabilitetin rajonal dhe të punojë në mënyrë konstruktive me Kosovën”, ka deklaruar Nuland.

Ndër të tjera, zëdhënësja ka vlerësuar tendencat e Nikoliç për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe në emër të DASH e ka inkurajuar atë që të arrijë këtë qëllim.

Por pavarësisht prirjeve evropiane të treguara së fundmi nga Nikoliç, i cili është i mirënjohur për qëndrimet e tij radikale, Prishtina zyrtare nuk beson se zgjedhja e tij do të sjellë një ndryshim në raport me Kosovën.

Ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni u shpreh pak ditë më parë se Kosova nuk duhet të shqetësohet nga zgjedhja e presidentit të ri të Serbisë.

Ai theksoi se, në raport me Kosovën politika e Serbisë nuk do të ndryshojë, pasi edhe presidenti i deritanishëm, Boris Tadiç, ka luajtur një politikë me mentalitet të vjetër ballkanas, pavarësisht se në komunitetin ndërkombëtar hiqej si demokratik.

Ndërsa, presidentja Atifete Jahjaga, në reagimin e saj vlerësoi se zgjedhja e presidentit të ri të Serbisë është një zgjedhje e vetë popullit serb, me të cilin Kosova synon të ndërtojë marrëdhënie fqinjësore korrekte.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk do të kenë ndikim tek politika e Kosovës dhe tek pavarësia e saj.

Top Channel