Aksident i rëndë në Kosovë, kamioni përplaset me tre makina, shtatë të plagosur Pak orë përpara mbajtjes së darkës informale të 27 krerëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, José Manuel Barroso, presidenti i Komisionit, priti në Bruksel kryeministrin e përkohshëm të Greqisë.
Panagiotis Pikrammenos u shfaq i hutuar në nisje të këtij takimi, pas të cilit u përsëritën mesazhet për respektimin e angazhimeve.
“Eurozona ka bërë një angazhim për të ruajtur mbështetjen financiare për Greqinë për aq kohë sa është e nevojshme, duke supozuar se Greqia mban angazhimin e saj për të zbatuar reformat strukturore, të cilat janë thelbësore për kthimin e rritjes ekonomike”, theksoi kreu i ekzekutivit të BE-së në një komunikatë të lëshuar në fund të takimit.
Sipas Barrosos, “mënyra më e shpejtë e më pak e vështirë për këtë është zbatimi i plotë i programit të dytë, siç është rënë dakort me Greqinë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, pavarësisht sakrificave të mëdha të deritanishme të popullit grek”.
Pikramenos u prit më pas edhe nga presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, ndërsa në nisje të samitit informal zhvilloi një takim dypalësh me presidentin francez, François Hollande.
Përballja e idesë së Hollande me qëndrimin e kancelares gjermane Merkel dhe mbështetësve respektivë mbi eurobondet dhe borxhin e përbashkët europian parashikohet të prodhojë një prej samiteve më të gjata europiane.
Për Greqinë pritet të bisedohet në fund të darkës jozyrtare, nga e cila, përveç diskutimeve të hapura, nuk priten marrëveshje apo konkluzione të përbashkëta.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel