Aksident i rëndë në Kosovë, kamioni përplaset me tre makina, shtatë të plagosur
Qindra punonjës të Korporatës Energjitike të Kosovës protestuan para ndërtesës së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Prishtinë.
Punonjësit kundërshtuan privatizimin e egër të KEK-ut, pensionimin e parakohshëm të punonjësve të korporatës dhe kërkuan plotësimin e kushteve të punës, etj.
Gjatë protestës ata kërcënuan se, në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, në këto kushte greva do të mbetet mjet i pashmangshëm. Sindikalistët e quajnë të ngutshëm vendimin e qeverisë për shitjen e aseteve të KEK-ut.
Punonjësit kërkojnë që t’u ndërpritet menjëherë aktiviteti rreth testimeve të aftësive fizike e profesionale në formë selektive, që sipas tyre po bëhet me qëllim të ushtrimit të presionit për ulje të numrit të të punësuarve.
Lidhur me këto çështje përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë shprehur gatishmërinë që të pranojnë përfaqësuesit e sindikatës.
Në një njoftim thuhet se, në këto takime është folur për të gjitha shqetësimet e përfaqësuesve sindikalë dhe iu janë dhënë garanci se në projektin e privatizimit të KEDS-it dhe projektit “Kosova e Re” do të sigurohen vendet e punës për tri vjet.
Jo vetëm për punëtorët të cilët kanë kontrata pune me kohë të pacaktuar, por edhe me kontrata të përkohshme pune, e që paraqesin 60 për qind të numrit të të punësuarve në KEDS.
Top Channel