Kanë kaluar pak javë që kur qeveria e Kosovës nuk mundi të vendosë një pikë policie në veri të Mitrovicës, ndërsa tashmë ekzekutivi po synon të themelojë në këtë pjesë të vendit një zyrë administrative.

Krijimi i kësaj zyre administrative për veriun e Mitrovicës, i paraprin kështu krijimit të komunës me shumicë serbe sipas planit të Ahtisarit.

Pas dy takimeve të njëpasnjëshme, njëra me anëtarët e kabintetit qeveritar e tjetra me partnerët ndërkombëtarë, kryeministri Hashim Thaçi tha se zyra administrative do të merret me shpërndarjen e buxhetit të Republikës së Kosovës, gjë të cilën deri më tani e ka bërë administrata e UNMIK-ut. Çka le të kuptohet se roli i UNMIK-ut zbehet edhe në veri.

“Themelimi i zyrës është një hap tjetër për të treguar përkushtimin tonë për zhvillimin e veriut. Qeveria shpenzon 4 milionë euro për veriun, për taksa, zjarrfikës, mirëmbajtje, etj. Duam të shohim që fondet e qeverisë u ofrohen qytetarëve për të plotësuar nevojat, për këtë qëllim kemi marrë vendimin për të krijuar këtë zyrë”, deklaroi Thaçi.

Kryeministri tha se zyra është e karakterit teknik dhe jo politik, ndërkohë që shtoi se qëndron prapa propozimit për një dialog me serbët e veriut.

I pyetur nga Top Channel për vazhdimin e dialogut me Beogradin zyrtar, Hashim Thaçi paralajmëroi kushtëzimin e vazhdimit të dialogut me zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur deri në këtë kohë.

“Qëndrimi i qeverisë është i qartë, më parë implementimi i marrëveshjeve të arritura dhe pastaj hapat e tjerë për të vijuar dialogun teknik. Qëndrimin tonë ia kemi prezantuar Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë”, nënvizoi Thaçi.

Nga ana tjetër, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith, duke komentuar për zyrën administrative për veriun kërkoi që ky hap të mos politizohet. I pyetur nëse e cilëson të dështuar punën e tij pasi nuk arriti që të përmbushë detyrimet e pakos së Ahtisarit për themelimin e komunës me shumicë serbe, ai dha këtë përgjigje:

“Nuk jam i sigurt që në këtë ditë të gëzuar unë duhet të flas për dështimet e mia. Ju e dini që ambienti në veri nuk premton progres të shpejtë. Ne po bëjmë përpjekjet që të krijojmë komunën e veriut, por mos të flasim për dështimet në këtë fazë, por për sukseset”, deklaroi Faith.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i komunitetit serb në qeverinë e Kosovës, Sllobodan Petroviç bëri të ditur se zyra administrative do të ketë shtatë departamente për mbikëqyrjen e projekteve të vogla.

Në këtë institucion, i cili pritet të funksionojë në veri, pritet të angazhohen 56 punëtorë, ndërkohë që drejtuesi i saj do të zgjidhet në bazë të konkursit, por emri përfundimisht do të marrë miratimin e kryeministrit Thaçi.

Top Channel