Irani doli me një propozim konkret në tryezën e bisedimeve me grupin 5+1 (SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani e Madhe dhe Gjermania), që po mbahet në Bagdad.
Kështu deklaroi një zyrtar iranian për mediat ndërkombëtare, duke u mjaftuar në bërjen publike të pak detajeve nga propozimi i Teheranit. Sipas tij, Irani propozoi pesë pika, pa u ndalur tek detajet, që pritet të zbardhen në përfundim të punimeve që do të vijojnë edhe ditën e enjte.
Por, burime nga përfaqësuesit amerikanë në këtë tryezë, thonë se vështirë të bihet dakort me propozimin iranian, që sipas tyre, nuk garanton transparencë e siguri që programi bërthamor i Iranit është për qëllime paqësore, e jo për ndërtimin e një bombe bërthamore.
Vetëm një ditë më parë, Agjensia e Energjisë Atomike e OKB-së deklaroi se është thelbësore që Teherani të ofrojë më shumë akses në reaktorët dhe qendrat e tij bërthamore.
Kësaj deklarate, Ministri i Jashtëm Ali Akbar Salehi iu përgjigj duke thënë se “çdo tentativë e vendeve perëndimore për të rritur presionin mbi Iranin do të ishte e kotë”. Megjithatë, ai shtoi se ka arsye të mira për të qenë optimist rreth bisedimeve.
Në mbërritjen në Bagdad, edhe kryediplomatja e BE-së, baronesha Catherine Ashton, u shpreh se fuqitë botërore po i propozojnë Iranit një ofertë të re, por pa konfirmuar nëse pjesë e kësaj oferte ishte lehtësimi apo heqja e sanksioneve.
Në takimin me zyrtarët iranianë janë përfaqësuesit e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB, SHBA, Britania, Franca, Rusia dhe Kina, plus Gjermania.
Aktualisht, Irani është bërë subjekt i sanksioneve të rënda ekonomike, si rrjedhojë e programit të tij bërthamor, që dyshohet se ka si qëllim prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë, pavarësisht se diçka e tillë hidhet poshtë me këmbëngulje prej Teheranit.
Top Channel