Arabia Saudite lajmëroi të mërkurën se do t’i ofrojë një ndihmë bujare prej 3,5 miliardë dollarësh Jemenit, i cili është duke u përballur me paqëndrueshmëri politike dhe një krizë të mundshme humanitare.
Shtatë agjensi të ndryshme ndihmash kanë paralajmëruar se si rrjedhojë e krizës politike dhe konfliktit me militantët islamikë dhe rebelët separatistë, vendi përballet me mundësinë e një zie buke.
Aktualisht, vlerësohet se më shumë se gjysma e popullsisë nuk arrin të marrë ushqime të mjaftueshme.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite u shpreh se këto para do të shkojnë për të financuar projekte të ndryshme zhvillimi.
Jemeni është vendi më i varfër në të gjithë botën arabe, me një normë papunësie prej 35% dhe të ardhura vjetore për frymë prej 1 300 dollarësh për person (pak më shumë se 100 $ në muaj për person).
Jemeni në prag të krizës së urisë
Situata e paqëndrueshme në Jemen e ka lënë vendin në prag të krizës së
urisë. Sipas grupeve të ndryshme të ndihmës, gjysma e popullsisë nuk ka
ushqim të mjaftueshëm për familjen.
BBC publikon se në një paralajmërim të përbashkët grupet bëjnë të ditur se 10 milionë persona janë të kequshqyer, prej të cilëve 5 milionë kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Jemeni është tronditur nga protestat pro-demokracisë dhe grupet e ndihmës janë shprehur se fokusi i tyre është të marrin masa për të lehtësuar varfërinë dhe urinë. Mendohet se kequshqyerja është dyfishuar në Jemen që nga viti 2009 dhe problemi është përkeqësuar nga paqëndrueshmëria politike dhe konfliktet.
Gjithashtu kjo situatë ka bërë që gjysmë milioni banorë të largohen nga shtëpitë për shkak të luftimeve.
Dyqanet lokale kanë ushqim të mjaftueshëm, por banorët e zonave nuk kanë të ardhura për të ushqyer familjet e tyre.
Top Channel