" /> ">

Anija e parë private në kozmos

23/05/2012 00:30

Anija e parë kozmike private e kompanisë “SpaceX” u nis drejt stacionit ndërkombëtar të hapësirës. Nisja e Falcon u bë ashtu sic ishte parashikuar në orën lokale 3.44 minuta nga Kejp Kanaveral i Floridës.

Fillimisht u ngjit në një lartesi prej 340 km mbi Toke, cka zgjati 10 minuta dhe fill pas kësaj, hapi panelet diellore. Të dy fazat e nisjes u duartrokitën nga stafi i Kompanisë Space X.

Do të duhen disa ditë që të arrijë në stacionin ndërkombëtar të hapësirës.  Sipas planit, të enjten anija kozmike duhet të dëshmoje aftësinë e sistemit të drejtimit, kontrollit dhe komunikimit, në një distance prej 2.5 km nga Stacioni Ndërkombetar i Hapësirës.

Nëse gjithcka do të shkojë mire atehere, Dragon do të lejohet të hyjë të premten 10 metra brenda stacionit. Astronautët brenda platformës do të mbërthejnë anijen me një krah robotik dhe do ta ankorojnë në strukturën 400 km të lartë. Ata do ta boshatisin atë nga 500 kg ushqime, ujë dhe pajisje të tjera, përpara se ta bëjnë gati për kthimin në tokë, në fund të muajit maj.

Anija Falkon dhe kapsula e saj Dragon lindën pikërisht për t’u dërguar furnizime astronautëve. Misioni ka një domethënie të madhe sepse shënon sfidën më të madhe të Shteteve te Bashkuara, për kryerjen e operacioneve në hapësirë.

Nëse gjithcka do të shkojë mire, anija do të nisë 12 udhëtimet drejt stacionit ndërkombetar, të caktuara nga NASA në një kontratë prej 1.6 miliardë dollarësh. Përvec kësaj Space X do të marrë edhe 395 milionë dollarët, e garantuar nga NASA për ta bërë kapsulën të banueshme për shtatë astronautë, duke nisur nga viti 2015.

Vetëm atëherë, NASA do të ketë në dispozicion në anije kozmike amerikane për të transportuar astronautët e saj pas “daljes në pension” të Shatellit. Ndërkohë duhet të paguajë 65 milionë dollarë për cdo astronaut që dërgon në orbitë, në bordin e anijeve kozmike ruse Sujuz, gjë që amerikanët nuk e kanë pranuar asnjëherë.

Top Channel