Organizata Botërore e Punës paralajmëron për vështirësitë me të cilat përballen të rinjte sot, kur niveli i papunësisë mes tyre në rang global llogaritet në 13%.
”Ka shumë të rinj të aftë e të arsimuar që po detyrohen të punojnë part-time apo edhe në sektorë të cilat nuk i përshtaten formimit te tyre”, thuhet në raportin e organizates, parashikimet e se cilës janë po aq të zymta sa dhe pasqyrimi i realitetit.
Kjo situate sipas saj, ka pak gjasa të përmirësohet edhe për katër vitet e ardhshme. Organizmi paralajmëron për një krizë të vërtetë, me 6 milionë vetë aq të zhgenjyer nga situata e tyre sa kanë hequr dorë edhe nga përpjekjet për të gjetur një punë.
Hartuesit e raportit kërkojnë që qeveritë ta kthejnë krijimin e vendeve të punës në prioritet kryesor. Duam të shohim më shumë skema trajnimi, ulje taksash për punëdhësit, me shumë përpjekje të vërteta thone ata.
Kriza e papunësise tek të rinjtë nuk është e pakapërcyeshme, por vetëm nëse politikbërësit do ta shohin me përparësi këtë çështje dhe investimet në sektorin privat të shtohen ndjeshëm.
Që prej 2007-tës, numri i të rinjve të papunë është rritur me katër milionë. Rreth 28% e tyre janë në Afrikën e Veriut, ku situata e të rinjve është rënduar pas kryengritjeve të Pranveres Arabe të vitit që shkoi dhe 26,5% në Lindjen e Mesme.
Në Bashkimin Europian, një në pesë të rinj kërkon vend pune, thotë raporti. Edhe në vetë Azinë Lindore, rajoni më dinamik mbase për nga zhvillimi i ekonomisë, niveli i papunesise tek të rinjtë është 2,8 herë më i larte sesa tek të rriturit.
Top Channel