Ministria e Arsimit në Maqedoni dhe zv/ministri shqiptar në këtë institucion, Safet Neziri, edhe një herë janë vendosur në shenjestër të kritikave të opozitës për faktin që nxënësit shqiptarë të Maqedonisë nuk do të mund të përdorin abetaren e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një seancë parlamentare ku po diskutohej për plotësimin e ligjit për veprimtari hulumtuese shkencore, deputeti opozitar i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Izet Zeqiri, tha se zëvendës ministri Neziri u tregua i paaftë për të përfshirë edhe Maqedoninë në projektin për abetaren e përbashkët e unifikuar.

”Mendoj se Ministria e Arsimit dhe zv/ministri nuk mund të bëjnë diçka më tepër në hulumtimin shkencor dhe në kërkimet fondamentale apo aplikative, kur e dimë faktin se ata nuk kishin fuqi të përfshihet në projektin për abetaren e unifikuar. Kishte një lojë fjalësh mes zv/ministrit dhe ambasadorit shqiptar që akuzoi zv/ministrin”, deklaroi Izet Zeqiri, deputeti i RDK-së.
Edhe pse i pranishëm në seancë, zëvëndësministri i arsimit, Safet Neziri, heshti ndaj akuzave të drejtëpërdrejta në Kuvend.

Neziri, gjatë prononcimeve të mëparshme pati thënë se Maqedonia ka ngelur jashtë projektit për abetaren e përbashkët pasi nuk ka marrë ftesë nga Shqipëria dhe Kosova për t’iu bashkangjitur këtij projekti.

Por, pretendimet e këtilla të zv/ministrit të Safet Neziri janë hedhur poshtë nga ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku dhe ai kosovar Skënder Durmishi.

Diplomati shqiptar, z.Çejku ka i ka sygjeruar Nezirit të kontrollojë hapësirën ligjore për të bërë të mundur sjelljen e abetares edhe në Maqedoni, pasi sipas tij në në këtë vend mungon mbështetja ligjore nga Ministria e Arsimit për përdorimin e abetares së përbashkët.

Çejku ka thënë se Tirana është gjithmonë e gatshme të ndihmojë shqiptarët e Maqedonisë në të gjitha sferat.

Top Channel