
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar me termat më të ashpër atentatin vetëvrasës në kryeqytetin jemenas, Sana, që u mori jetën mbi 90 ushtarëve.
Një deklaratë për shtyp e Këshillit e konsideronte sulmin si një akt të turpshëm dhe bënte thirrje për të luftuar çdo formë të terrorizmit.
Dega e Al Kaedës në Jemen deklaroi se një nga anëtarët e saj kreu sulmin në sheshin që ndodhet pranë pallatit presidencial.
Ndërsa presidenti i Jemenit, Abd Rabbo Hadi Mansour premtoi ndërmarrjen e aksioneve më të ashpra dhe më të vendosura ndaj militantëve.
“Lufta ndaj terrorizmit do të vazhdojë derisa ai të çrrënjoset dhe asgjesohet tërësisht, pavarësisht sakrificave”, deklaroi Mansour, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “Saba”.
Presidenti, që e mori detyrën në shkurt, ka bërë thirrje për luftimin e militantëve nga Jemeni që ndodhen kryesisht në zonat jugore dhe lindore të vendit.
Një provincë jugore, Abjani, është nën kontrollin e Ansar al Sharia, një eksponent i Al Kaedës që ndodhet në gadishullin arab që prej vitit të kaluar.
Në deklaratën e tij, Këshilli i Sigurimit dënoi “me termat më të fuqishëm” sulmin terrorist dhe deklaroi se vendet anëtare të tij rikonfirmuan vendosmërinë për të luftuar të gjitha format e terrorizmit.
Top Channel