Liderët e vendeve të NATO-s, të mbledhur në Çikago, kanë miratuar planet për Afganistanin, që parashikojnë kalimin e përgjegjësive tek forcat afgane nga mesi i vitit 2013.
Liderët konfirmuan se trupat luftarake të NATO-s do të tërhiqen nga fundi i vitit 2014, duke lënë vetëm njësitë që do të stërvisin trupat lokale.
Por presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se: “Përsa kohë afganët do të luftojnë, ata nuk do të jenë vetëm”.
NATO deklaroi gjithashtu se ishte optimist se Pakistani do të rihapë rrugët e furnizimit, që u mbyllën pasi një sulm ajror amerikan në vitin 2011 vrau 24 ushtarë pakistanez.
Takimi dyditor mblodhi bashkë liderët nga më shumë se 50 vende, përfshirë 28 anëtare të NATO-s, si dhe presidentin afgan Hamid Karzai dhe atë pakistanez Asif Ali Zardari.
Një deklaratë për shtyp e lëshuar në përfundim të samitit thotë se, “kalimi i kontrollit tek forcat afgane është i pakthyeshëm dhe asnjë mision luftarak nuk do të mbetet atje pas vitit 2014, kur 130 mijë trupa të NATO-s janë programuar të largohen”.
Gjithësesi, presidenti Obama bëri një apel për mbështetjen e popullit afgan. Ai tha se NATO duhet të vazhdojë të këshillojë dhe asistojë trupat afgane në mënyrë që ato të bëhen më të forta.
“Por forcat afgane nuk do të bëhen kurrë të tilla nëse ato nuk fillojnë të marrin përsipër përgjegjësitë”, shtoi presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Top Channel