Në vitin 2004, një autobus që transportonte nxënës nga Kosova u përplas me një automjet tip Benz në afërsi të Fushë-Arrëzit duke përfunduar në humnerë.

Bilanci ishte tragjik, 14 nxënës të shkollës Abdyl Frashëri të Malishevës humbën jetën, ndërsa 37 të tjerë mbeten të plagosur.

Ky ishte aksidenti i parë rrugor me bilanc tragjik viktimash në rrugët e Shqipërisë gjatë këtij dhjetëvjecari dhe fatkeqësisht jo i fundit. 6  vjet më vonë, në verën e vitit 2010 Shqipëria u trondit sërish nga dy aksidente të tjera tragjike, dhe përsëri mjetet e përfshira ishin autobusa të transportit publik.

Në korrik të atij viti, një autobus që transportonte pasagjerë në linjën Durrës-Pukë, doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë. Aksidenti fatal që ndodhi në afërsi të fshatit Gjergjan, në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz shkaktoi 14 viktima dhe mbi 20 të plagosur.

Pas ekspertizës, policia tha se aksidenti erdhi për shkak të kushteve të vështira të motit. Kur nuk kishin kaluar ende dy muaj, një tjetër tragjedi e rëndë rrugore do të trondiste vendin. Në tetor të 2010-ës, autobusi i linjës Tiranë-Athinë, që transportonte rreth 50 pasagjerë, doli nga rruga në afërsi të Ballshit. Si pasojë e aksidentit humbën jetën 9 qytetarë dhe u plagosën mbi 40 të tjerë. Shkaku sipas ekspertizës ishte se shoferi grek humbi vëmendjen.

Një ditë më parë vendi u trondit nga një tjetër ngjarje me bilanc tragjik. Aksidenti i ndodhur në afërsi të Himarës, ku humbën jetën 13 persona është i fundit në radhën e atyre me bilance tragjike, që në total kanë shkaktuar vdekjen e 49 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve. 

Top Channel