Fondacioni i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, ka shprehur irritimin e tij pasi mësoi se një kampion i gjakut të tij ishte vënë në shitje në një ankand online.
Kompania e ankandeve PFC, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, deklaron se gjaku ishte marrë nga Reagan pas dështimit të atentatit për vrasjen e tij në vitin 1981.
Faqja e internetit e PFC vendosi ofertën fillestare prej 6.270 stërlinash ditën e martë.
John Heubusch, drejtor ekzekutiv i fondacionit të ish-presidentit, deklaroi se nëse kjo është e vërtetë, ai do të luftojë për të ndalur këtë akt të turpshëm.
“Nëse kjo histori rezulton e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një akt të ulët dhe ne do të përdorim çdo mjet ligjor për ta ndalur shitjen”, deklaroi Heubusch.
Ai tha gjithashtu se spitali ku ish-presidenti Reagan u trajtua ka siguruar fondacionin se një hetim është hapur për të zbuluar se si mund të ketë ndodhur një gjë e tillë.
Kompania e ankandeve PFC, me bazë në Gernsej, në Kanalin e Ishujve Britanikë, vendosi një foto të kampionit të gjakut të vendosur në një enë të vogël, që mbante emrin e presidentit të dikurshëm.
Top Channel