Kriza SHBA-Pakistan në samitin e NATO-s

21/05/2012 15:10

Mosmarrëveshjet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Pakistanit për rrugët e furnizmit në Afganistan rrezikojnë të errësojnë samitin e liderve të vendeve të NATO-s, që po mbahet në Çikago.

Të dyja palët e kanë patur të pamundur të arrijnë një marrëveshje mbi kushtet e Pakistanit për rrihapjen e rrugëve, të mbyllura pasi një goditje e gabuar ajrore më parë gjatë vitit goditi një kazermë ushtarake duke vrarë aksidentalisht 24 ushtarë.

E hëna, dita e dytë dhe e fundit e samitit, u përqendruar gjithashtu në procesin e tërheqjes së trupave nga Afganistani.

Franca, nën drejtimin e presidentit Hollande, këmbëngul që të tërhiqet brenda vitit, duke mos respektuar afatin e caktuar më parë, të 2014-s.

Sipas “AFP”, ndonëse çështja u ngrit për trajtim në samit, Hollande mbylli çdo shteg për një marrëveshje, duke theksuar se “një vendim i tillë është i panegociueshëm, pasi bëhet fjalë për një çështjet sovrane të Francës”.

Nëse do të realizohet, tërheqja e trupave franceze do të detyrojë SHBA dhe vendet e tjera anëtare të rrisin prezencën e tyre në Afganistan në mënyrë të përkohshme, për të mbuluar boshllëkun që do të mbetet pas.

Në samitin e Çikagos, më shumë se 50 lidera shtetesh janë të pranishëm, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Përkrah tij janë prezentë udhëheqësit e 27 vendeve të tjera anëtare të NATO-s, së bashku me Presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai dhe atë të Pakistanit, Asif Ali Zardari.

Top Channel