Itali, kostoja financiare e tërmetit

21/05/2012 19:10

Italianët kanë nisur të përllogarisin koston financiare të dëmeve të shumta të shkaktuara nga tërmeti në një prej zonave historike dhe më të populluara të vendit, atë të Emilia-Romanjës.

Shtatë persona mbetën të vdekur nga shembja e banesave të tyre dhe mbi 50 të tjerë u plagosën kur një tërmet me magnitudë mbi 6.0 të shkallës rihter tronditi vendin në orët e para të së dielës.

Disa qendra antike kulturore u shembën si rrjedhojë, ndërsa mbi 10 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre e kryebashkiakët e disa qyteteve veriore kanë kërkuar ndihmë nga Roma zyrtare.

Qeveria e Montit nuk ka shpallur ende një gjendje të jashtëzakonshme, por pritet që ta bëjë në orët në vazhdim.

Fatura financiare nuk përfshin vetëm banesat e dëmtuara dhe qendrat industriale të shembura, por edhe dëmet e shumta të pësuara në biznesin lokal. Sipas mediave italiane, më shumë se 300 mijë rrota djathi parmesan apo “Grand Padano” janë dëmtuar, dëm që llogaritet në dhjetëra miliona euro.

Sipas të dhënave paraprake, 200 milionë euro është dëmtimi që ka pësuar vetëm bujqësia, ndërsa Ministri i Kulturës pranoi dëme të konsiderueshme edhe në qëndrat antike dhe trashëgiminë kulturore të zonës.

Nga ana e tij, kryeministri i Italisë, Mario Monti, shkurtoi vizitën e tij në samitin e NATO-s në Çikago, për të qëndruar pranë vendit gjatë kësaj krize.

Midis pasurive më të rëndësishme të dëmtuara përfshihet Kulla e Orës në Finale Emilia, ndërtuar në shekullin e XIV apo kështjella e Rokës në San Felice sul Panaro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA