Kreu i Agjensisë Bërthamore të OKB-së mbërriti të hënën në Teheran, duke shprehur optimizëm mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje në lidhje me programin bërthamor, që ka shndërruar Iranin në subjekt të shumë sanksioneve ndërkombëtare.
Yukiya Amano, drejtuesi më i lartë i Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA), do të diskutojë më konkretisht mbi projektin me kryenegociatorin iranian për çështjet bërthamore, Saeed Jalili.
Vizita e Amanos në Teheran vjen përpara një takimi në Bagdad midis gjashtë fuqive botërore me përfaqësuesit e vendit aziatik me 80 milionë banorë.
Në të shkuarën, Irani ka hedhur gjithmonë poshtë spekulimet se është duke u përpjekur të ndërtojë armë bërthamore, duke theksuar se programi i tij ka vetëm qëllime civile.
Megjithatë, prej më shumë se katër vitesh, vendi i mohon ANEA-s inspektime në reaktorët e tij kryesorë bërthamorë, së bashku me aksesin në dokumente zyrtare rreth programit.
”Besoj me të vërtetë se kjo mund të jetë hera e duhur për të arritur një marrëveshje. Asgjë nuk është e sigurt, por e përballojmë këtë situatë me shpirt konstruktiv”, deklaroi Amano përpara vizitës zyrtare.
”Ka patur një progress së mirë gjatë raundeve të fundit të bisedimeve, prandaj kemi të gjitha arsyet për të qenë shpresëplotë”, shtoi kryeinspektori, duke rikujtuar një deklaratë të mëparshme, kur premtoi se do të rikthehej për bisedime në Iran vetëm në rast se do të kishte një shpresë reale për arritjen e një marrëveshje.
Top Channel