Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy dhe ai i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, përgëzuan Tomislav Nikoliçin për fitoren dhe popullin serb për zgjedhjet paqësore dhe konkurruese.

Në një komunikatë të përbashkët, presidentit të ri serb i urohet sukses në përmbushjen e pritshmërive të popullit në fushën ekonomike, duke vlerësuar se gjatë zgjedhjeve u pa “një sinjal i qartë i mbështetjes popullore ndaj rrugës pro-europiane të Serbisë”. Pas lëvdatave të radhës, ndjek theksimi i kushteve që duhet të plotësojë Serbia në rrugën e integrimit.

”Inkurajojmë Presidentin Nikoliç të vijojë drejtimin me vendosmëri të veçantë për të përmbushur të gjithë progresin që do t’i mundësojë Komisionit Europian të rekomandojë çeljen e negociatave për anëtarësim dhe Këshillin Europian të marrë vendimin për këtë. Kapërcimi i sfidave më të vështira kërkon cilësi të larta udhëheqjeje. Serbia duhet të dëshmojë në vazhdimësi ndjekjen e frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit në rajon”, këshilluan krerët e BE-së.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, sidomos nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit, është një prej kushteve që BE i kujton presidentit të ri serb që në ditën e parë pas fitores.

”Do të jetë thelbësore të vërehet vijimi i momentumit të reformave për të konfirmuar se Serbia i plotëson mjaftueshëm kriteret politike dhe se shënon progres të mëtejshëm në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës për përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve”, theksohej në deklaratë.

Një ditë më parë, e njëjta deklaratë për shtyp u lëshua nga Këshilli Europian tre orë përpara mbylljes së procesit të votimit dhe gjashtë orë përpara shpalljes së rezultateve të para, për t’u tërhequr disa minuta më vonë, duke u cilësuar vetëm si “një gabim teknik” nga institucionet europiane.

Top Channel