
Presidenti amerikan Barack Obama tha se ekziston një “konsensus i dukshëm” që vendet europiane të përqendrohen tek krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike.
Duke folur në samitin e G8 të ekonomive kryesuese në botë, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim se Europa do t’i përballojë me sukses sfidat: “Të gjithë udhëheqësit kanë rënë dakord se rritja dhe vendet e punës duhet të jenë përparësia jonë. Një ekonomi europiane në rritje të qëndrueshme është në interesin e të gjitheve, përfshirë dhe atë të Amerikës. Europa është partneri ynë më i madh ekonomik. Ta shohim thjeshtë: nëse një kompani tkurret në Paris apo Madrid, kjo do të thotë më pak biznes për prodhuesit në Pitsburg apo Miluoki”.
Në deklaratën pas takimit në Kemp Dejvid të Merilend, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Japonisë, Kanadasë dhe Rusisë u angazhuan për të nxitur rritjen ekonomike, kjo krahas përgjegjësive fiskale duke theksuar se Greqia duhet të qëndrojë në Eurozonë.
“Kemi rënë dakord për rëndësinë e një Eurozone më të fortë dhe të pohojmë interesin tonë që Greqia të qëndrojë në Eurozonë duke respektuar angazhimet. Padyshim që njohim sakrificat e dhimbshme që populli grek po bën në këto kohë të vështira”, theksoi Obama.
Megjithëse presidenti amerikan pranoi se situata në Europë është më e komplikuar se në Shtetet e Bashkuara, nënvizoi se Kontinenti i Vjetër po ecën në drejtimin e duhur.
Si deklarata në fund të G8 ashtu edhe reagimi i Barak Obamës dëshmojnë se qëndrimi amerikan dhe ai francez fituan ndaj atij gjerman dhe britanik, pro- masave shtrënguese.
Presidenti i Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso dhe ai i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj, thanë se janë të nevojshme si masat nxitëse për rritjen ashtu dhe për financat publike udhëheqësit e G8, diskutuan edhe për çështje të tjera si Irani, Afganistani, Korea e Veriut, energjia botërore apo ndryshimet klimaterike.
Të dielën ata do të udhëtojnë drejt Cikagos për samitin e NATO-s.
Top Channel