Mbi 50 udhëheqës botërorë marrin pjesë në samitin dy-ditor të NATO-s që zhvillohet në Cikago të Illinoit, në Shtetet e Bashkuara.
Është hera e parë që një samit i Aleancës zhvillohet jashtë Uashington DC, kësaj here në qytetin e Barak Obamës.
Për Presidentin amerikan përparësia është gjetja e rrugës së përbashket, për të ashtuquajturën “strategjia e daljes” nga Afganistani, por duke ruajtur kompaktësinë e koalicionit. Ndërsa trupat e NATO pritet të tërhiqen nga ky vend në 2014, presidenti i ri i Francës, Fransua Holond ka në planet e tij tërheqjen e trupave luftarake gjatë këtij viti.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen tha për BBC-në se kjo është pjesë e planit. “Nuk bie në kontradiktë me strategjinë por pjesët e saj”, nënvizoi ai.
Të pranishëm në samit janë edhe Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai dhe ai i Pakistanit, Ali Asif Zardari.
“Nuk mund te zgjidhim problemet ne Afganistan pa angazhimin pozitiv te Pakistanit”, tha Rasmusen.
Në Samitin dy ditor do të flitet edhe për sistemin e mbrojtjes anti-raketë, të cilin Rusia e sheh si kërcënim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen siguroi Moskën se ky sistem nuk i drejtohet Rusisë.
“Nga ana teknike nuk është menduar për të sulmuar rusët. U kemi ofruar atyre një bashkëpunim të ngushtë dhe u kemi thënë se mënyra më e mirë për të patur një garanci do të ishte të impenjoheshim në një bashkëpunim aktiv dhe të shihnin me sytë e tyre që sistemi nuk u drejtohet atyre”, tha Rasmusen.
Lidhur me Ballkanin, disa vende të rajonit, si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja aspirojnë të anëtarësohen në NATO, por ekspertët thonë se takimi i nivelit të lartë i Aleancës në Çikago nuk do të diskutojë zgjerimin dhe as nuk do të ftojë vende të reja për t’u bërë anëtare.
Samiti i NATO-s, arrestime në Cikago
Ndërsa udhëheqësit botërore ndodhën në Cikago, në samitin e NATO-s, tre persona, të gjithë amerikanë, u arrestuan dhe akuzuan për komplot, për të kryer sulme në pika kyçe të qytetit, përfshirë edhe vendosjen e lëndëve shpërthyese në selinë e fushatës së Presidentit Obama në Çikago, si dhe ndaj rezidencës së kryetarit të Bashkisë të qytetit, Rahm Emanuel.
Në bazë të të dhënave të para, tre të arrestuarit ishin anarkistë, që i përkisnin një levizjeje të njohur si “Blloku i Zi”, të cilët synonin të pengonin zhvillimin e samitit. Plani i tyre ishte të çorientonin policët duke hedhur shishe benzine në katër stacione policie. Një polic kishte arritur të infiltrohej brenda grupit dhe ndihmoi në parandalimin e sulmit.
Top Channel