Një numër i vogël ushtarësh britanikë do të qëndrojnë në Afganistan edhe pas tërheqjes së NATO-s në vitin 2014, raportoi “BBC” gjatë së dielës.
Ishte një zyrtar i lartë qeveritar, i cili bëri këtë deklaratë nga Çikago, ku po mbahet samiti i NATO-s, që pritet të përqendrohet në çështje delikate si Afganistani apo Irani.
Kryeministri britanik, David Cameron, ka caktuar afatin e dhjetorit 2014 për përfundimin e të gjitha veprimeve luftarake dhe kthimin e trupave në vend.
Megjithatë, njësi speciale të ushtrisë do të vazhdojnë të marrin pjesë në operacione specifike edhe pas kësaj date, duke bërë që prezenca britanike në Afganistan të vazhdojë edhe përtej tërheqjes.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, nga Çikago deklaroi: “Jemi në procesin e dorëzimit gradual të rolit tonë tek trupat afgane, process që do të përfundojë në 2014-n. Gjatë kësaj kohe, roli i forcave tona në vend do të ndryshojë gradualisht nga ai i operacioneve luftarake, në atë të misioneve mbështetëse”.
Shqipëria, aktualisht mban në Afganistan një trupë prej 440 ushtarësh, të shpërndarë në destinacione të ndryshme në vend.
Në samitin që zhvillohet në OKB dhe ku është i pranishëm edhe kryeministri Berisha, do të diskutohet për të ardhmen e Aleancës së Atlantikut Verior, në një kohë kur shumë vende anëtare kanë shkurtuar buxhetin për mbrojtjen për të përballuar krizën financiare.
Top Channel