Spanja ndërpret gazin drejt Argjentinës

19/05/2012 00:00

Kompania spanjolle “Repsol” ka anuluar një kontratë për furnizimin me
gaz natyral të lëngshëm për Argjentinën, pak javë pasi qeveria e vendit
latin mori nën kontroll kompaninë vartëse të “Repsol”, “YPF”.

Drejtues të kompanisë spanjolle deklaruan për agjencinë e lajmeve “AFP” se kompania energjitike shtetërore argjentinase “Enarsa” ka bërë një sërë shkeljesh dhe nuk po respekton afatet e përcaktuara.

Aktualisht Argjentina mbështetet në importet e gazit natyral të lëngshëm deri në 30 për qind të konsumit të brendshëm.

“Repsol” duhet të siguronte 10 nga 80 ngarkesat e parashikuara për periudhën qershor-shtator, kur regjistrohet edhe piku i konsumit.

Por autoritetet argjentinase deklaruan se këto ngarkesa janë zëvendësuar me furnizime të tjera, “pasi ne e dinim që ato nuk do të mbërrinin, sikurse ndodhi gjatë viteve që Spanja kontrollonte “YPF”-në”.

Vendi i Amerikës së Jugut mori nën kontroll shumicën e aksioneve të “Repsol” në kompaninë “YPF” në muajin prill, duke e shtetëzuar firmën që siguron një të tretën e furnizimit me naftë dhe një të katërtën të atij me gaz për Argjentinën.

Thuhet se “Repsol” nuk po investonte sa duhet për të rritur prodhimin nga fushat e naftës të “YPF”-së, që do të lehtësonte nevojën e Argjentinës për importe.

“Nëse një situatë e tillë do të vazhdojë, ne do të kemi probleme të mëdha me energjinë në vend, për shkak të rënies së prodhimit dhe mbështetjes në rritje tek importet”, deklaroi atëherë presidentja Cristina Fernandez Kirchner.

Top Channel