SHBA, plani për të goditur Iranin

19/05/2012 02:00

Plani amerikan për goditjen e Iranit është gati dhe do të kalojë në zbatim nëse masat e tjera për frenimin e ambicjeve bërthamore të Republikës islamike, do të dështojnë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Dan Shapiro e bëri të qartë se Uashingtoni shpreson që diplomacia dhe sanksionet do të arrijnë ta bindin Teheranin të mos tentojë prodhimin e armëve bërthamore.

Megjithatë, opsioni ushtarak mbetet në tryezë. Kjo është hera e parë që nga Shtetet e Bashkuara mbërrin kaq qartë mesazhi për mundësinë e një ndërhyrjeje të tillë.

Presidenti Barak Obama deri më tani ka lënë të kuptohet se mësymja nuk përjashtohet, por për momentin vëmendja do të përqëndrohet tek rrugët diplomatike për zgjidhjen e krizës.

“Sigurisht, përpara përdorimit të forcës ushtarake, ne do të preferonim zgjidhjen diplomatike e mbase edhe presionin. Por kjo nuk do të thotë se për opsionin tjetër nuk është menduar. Madje më shumë sesa mendim, plani për sulmin është gati. Të gjitha masat e nevojshme janë marrë për t`u siguruar që cdo gjë të jetë gati”, tha i dërguari i SHBA-ve në Izrael, Dan Shapiro.

Si Izraelit dhe Shtetet e Bashkuara e kanë marrë në konsideratë ndërhyrjen ushtarake, edhe pse e shohin si mundësinë e fundit për të ndaluar Iranin nga prodhimi i armës bërthamore.

Shteti hebre, i cili ndihet i kërcënuar më shumë se kushdo tjetër nga një Iran bërthamor, ka paralajmëruar se mund të sulmojë paraprakisht. Edhe pse komentet e Shapiros i drejtoheshin një audience izraelite, ato nuk do të kalojnë pa u vënë re nga kryeqytete të tjera, përfshirë Teheranin, thotë BBC.

6 fuqi botërore, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania po përpiqen ta bindin republikën islamike të reduktojë pasurimin e uraniumit e të lejojë inspektorët e agjensisë ndërkombëtare të energjisë atomike të kontrollojë impiantet e saj nukleare. Bisedimet mes tyre dhe Iranit pritet të rifillojnë në Bagdad në datën 23 maj.

Top Channel