SHBA, “dita e parë” e Mitt Romney

19/05/2012 00:00

“Dita e parë: presidenti Mitt Romney ka firmosur menjëherë vendimin për
naftësjellësin Keystone, që lidh Kanadanë me Shtetet e Bashkuara, duke
krijuar mijëra vende pune që Obama do të kishte bllokuar”.

Fillon kështu, duke simuluar atë që do të bënte ditën e parë me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, spoti televiziv i fushatës presidenciale të ish-guvernatorit të Masaçusetsit.

Kandidati republikan ka shpërndarë kështu videon e parë prej 30 sekondash që do të transmetohet në televizionet amerikane me titullin “Day One”, që do të thotë “dita e parë”.

Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara është ashpërsuar së tepërmi në javët e fundit, me dy rivalët, Romney dhe Obama, që kanë bërë spote publicitare dhe dokumentare kundër njëri-tjetrit.

Para pak ditësh, me synimin për të sulmuar presidentin Obama me teori imagjinare mbi fëmijërinë e tij, doli në internet një film “trash” me titullin “Ëndrra nga Babai i Vërtetë”.

Filmi në fjalë sugjeronte se babai i vërtetë i Obamës nuk ishte një sduent nga Kenia, por Frank Marshall Davis, një gazetar amerikan zezak dhe militant komunist.

Një hipotezë kjo, me siguri e bazuar në asnjë provë, por që u kthye si bumerang pasi hodhi poshtë hipotezën që presidenti i parë me ngjyrë të ketë lindur në Afrikë, siç deklarojnë prej vitesh fansat e Tea Party.

Ndërsa më herët, stafi elektoral i presidentit Obama publikoi një reklamë përmes të cilës kërkonte të shfrynte rekordin e punësimit të kandidatit rival Mitt Romney.

Videoja tregonte disa ish-punëtorë të një impianti çeliku që u ble dhe më pas u mbyll nga “Bain Capital”, firma private e bashkëthemeluar nga zoti Romney.

“Ai ishte si një vampir. Ata erdhën dhe na thithën të gjithë jetën neve”, thoshte në reklamë një ish-punëtor i impiantit të çelikut.

Top Channel